Një vrasje me armë zjarri ka tronditur Fierin mëngjesin e kësaj të hëne. Selami Hasani, i njohur me pseudonimet “Sel Çami” dhe “Seli i Matit”, është ekzekutuar në oborrin e banesës së tij, ndërsa vëllai, Jakup Hasani, ka mbetur i plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, ku persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj dy vëllezërve.

Selami Hasani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa vëllai i tij u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

Sipas Shqiptarja.com, viktima ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, të njohur si “Ben Qimja”, një emër i përmendur prej vitesh në kronikën kriminale të Fierit.

Media raporton se Selami Hasani dhe Arben Isufaj kishin qenë në hasmëri pas vrasjes së Julian Isufajt.

Ky është një element i rëndësishëm i së kaluarës së viktimës, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar që ngjarja e sotme të ketë lidhje me konfliktin e mëparshëm.

Menjëherë pas sulmit, autorët u larguan nga vendngjarja.

Në fshatin Dërmenas, policia gjeti një automjet që po digjej, për të cilin dyshohet se ishte përdorur nga personat që kryen vrasjen.

Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e autorëve, motivin e atentatit apo gjendjen shëndetësore të Jakup Hasanit.

Hetuesit pritet të sqarojnë nëse ekzekutimi lidhet me konfliktet e mëparshme të viktimës apo me rrethana të tjera.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu