
Tensione të reja janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut, pasi në Shkup janë shfaqur mbishkrime me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
Në qendrën sportive “Forca” është shkruar slogani anti-shqiptar: “As në tokë, as në qiell, vend për shqiptarë nuk ka”, ndërsa fotografia është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të forta.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkuan mbajtjen e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Shkrimi me përmbajtje urrejtjeje është denoncuar edhe nga eksponentë politikë shqiptarë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe hetim nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Deri tani, sipas raportimeve mediatike, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për incidentin.
Kohët e fundit janë shtuar incidentet dhe thirrjet anti-shqiptare në vend. Më herët, në një sallë sportive në Shkup, tifozë maqedonas dëgjoheshin duke brohoritur slogane kundër shqiptarëve.
Ngjarja ka rikthyer debatet për klimën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe tensionet që janë rritur pas protestave të studentëve shqiptarë.






