
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po përhapen me ritme alarmante në Europë, ndërsa gonorrea dhe sifilizi kanë arritur nivelet më të larta të regjistruara në më shumë se një dekadë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 106 mijë raste me gonorre, një rritje prej 303% krahasuar me vitin 2015.
Ndërkohë, rastet me sifiliz janë më shumë se dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në mbi 45 mijë raste në të gjithë Europën.
Ekspertët europianë të shëndetit publik paralajmërojnë se mungesa e testimeve dhe dobësimi i masave parandaluese po ndikojnë drejtpërdrejt në përhapjen e infeksioneve.
Sipas ECDC, këto sëmundje mund të shkaktojnë komplikacione serioze, përfshirë infertilitetin, dhimbje kronike, probleme neurologjike dhe dëmtime të zemrës.
Alarmi është rritur edhe për rastet e sifilizit kongjenital, ku infeksioni transmetohet nga nëna tek foshnja gjatë shtatzënisë, duke sjellë pasoja të rënda për jetën e fëmijës.
Spanja rezulton vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara të gonorresë dhe sifilizit në Europë gjatë vitit 2024.
Ndërkohë, Britania e Madhe nisi në vitin 2025 vaksinimin kundër gonorresë, pasi infeksionet arritën nivele rekord.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të përdorin prezervativë dhe të kryejnë testime të rregullta, veçanërisht në rast të partnerëve të shumtë ose simptomave të dyshimta.






