
Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të mos vonojë vendimet politike për zgjerimin dhe të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë familjes europiane.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare mes përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane, Rama tha se pavarësisht debateve të brendshme politike, shqiptarët bashkohen te dëshira për anëtarësimin në BE.
“Ne debatojmë shumë gjëra në vendin tonë. Kemi kapacitetin për të gjetur arsye për të mos qenë dakord me njëri-tjetrin. Ama për një gjë kemi rënë dakord, për faktin që duam të jemi pjesë e Europës dhe që ne e dashurojmë Europën. Prandaj ne shpresojmë të mos na lini në baltë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, një dështim i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk do të ishte vetëm problem për vendet e rajonit, por një dështim i madh për vetë Bashkimin Europian.
“Nëse Europa lë në baltë Ballkanin Perëndimor, nuk do të jetë dështim i thjeshtë për Europën, por do të jetë dështim madhor”, u shpreh ai.
Rama kërkoi gjithashtu që vendimet politike për zgjerimin të merren tani, ndërsa më pas procesi për secilin vend kandidat të vijojë mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së kritereve.
“Vendimet politike nuk duhet të lihen për në fund, por të merren tani dhe pastaj të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka”, deklaroi kryeministri.
Gjatë fjalës, Rama përdori edhe një batutë duke lidhur shtatë vendet kandidate për anëtarësim me shtatë fëmijët e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“7 fëmijë ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë”, tha Rama, ndërsa vijoi me krahasimin se von der Leyen nuk u kishte thënë fëmijëve të saj të shkonin “me atë gangsterin rus” apo të luanin “me ca lodra kineze”, duke e përdorur metaforën për të argumentuar afrimin e vendeve kandidate me BE-në.






