Kryeministri Edi Rama ka mohuar nga Dublini pretendimet se ishulli i Sazanit i është shitur Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Ai ka konfirmuar se qeveria shqiptare është në diskutime me përfaqësuesit e investitorit amerikan, por ka theksuar se ishulli mbetet pronë e shtetit.

Gjatë pjesëmarrjes në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Europian, Rama foli gjithashtu për mundësinë e organizimit të një samiti në Tiranë në vitin 2028, protestën e shqiptarëve gjatë vizitës së tij në Irlandë dhe procesin e integrimit europian.

Rama për Sazanin: Ishulli është i shtetit dhe do të mbetet i tillë

I pyetur për planet e Jared Kushnerit në lidhje me investimin e propozuar në ishullin e Sazanit, kryeministri mohoi të ketë një marrëveshje personale biznesi me të.

“Pse duhet të di unë planet e Kushner? Nuk kam asnjë ujdi biznesi me të. Ne jemi në diskutime me grupin e tij të punës”, deklaroi Rama.

Ai kundërshtoi pretendimet për shitjen e ishullit, duke theksuar se diskutimet për investimin nuk nënkuptojnë transferimin e pronësisë.

“Nuk ka asnjë ishull të shitur, ai ishull është i shtetit dhe do të vijojë t’i mbetet shtetit. Po, ka një dakordësi për investim, por nuk duhet t’i nxirrnin gjërat jashtë kontekstit”, u shpreh kryeministri.

Rama iu përgjigj edhe pyetjeve për vendimmarrjen lidhur me projektin, duke argumentuar se përgjegjësia për këtë çështje i takon qeverisë së mandatuar nga qytetarët shqiptarë.

“Shiko, kjo nuk është puna jote që të vendosësh, është punë e popullit shqiptar, të cilët më dhanë mandatin qeverisës dhe kjo nuk ndodhi një dekadë më parë, por ndodhi një vit më parë”, tha ai.

Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë? Rama përmend vitin 2028

Një tjetër çështje e diskutuar ishte organizimi i një samiti të ardhshëm në kryeqytetin shqiptar.

Rama deklaroi se ende nuk është përcaktuar një datë përfundimtare, por përmendi vitin 2028 si një mundësi për zhvillimin e tij në Tiranë.

“Ne ende nuk kemi një datë tamam se kur do të mblidhet ai samit, jo në vitin 2027, por ndoshta në vitin 2028 ai do të mbahet dhe do të mbahet në Tiranë”, u shpreh kryeministri.

I pyetur nëse kjo situatë e kishte zhgënjyer, Rama e mohoi.

“Pse duhet të jem i frustruar? Jam shumë i kënaqur dhe kjo s’ka asgjë me frustrimin. Gjithçka është normale”, deklaroi ai.

Protesta e shqiptarëve në Dublin, Rama: Është një vend demokratik

Kryeministri komentoi edhe protestën e organizuar nga disa shqiptarë gjatë vizitës së tij në Irlandë.

Ai e cilësoi protestën si pjesë të funksionimit të demokracisë dhe tha se personalisht ishte ndjerë i mirëpritur në vendin pritës.

“Ky është një vend demokratik dhe është i drejtuar nga rregulla dhe ligje dhe ajo çfarë ndodhi është të qenurit vend demokratik me ligje dhe rregulla”, tha Rama.

“Në Irlandë jam ndjerë i mikpritur dhe po, ishin disa motra dhe vëllezër shqiptarë që e panë të arsyeshme të më prisnin në një metodë ndryshe dhe është ajo çfarë është”, shtoi ai.

Integrimi në BE, Rama: Nuk ka rrugë tjetër

Në deklaratat e tij nga Dublini, Rama u ndal edhe te perspektiva europiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera kandidate.

Sipas kryeministrit, Bashkimi Europian duhet t’i përfshijë vendet që synojnë anëtarësimin në diskutimet për të ardhmen e përbashkët të kontinentit.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër për Bashkimin Europian dhe kjo vlen dhe për vendet e tjera. Ajo çfarë BE duhet të bëjë është që t’i ulë të gjitha vendet kandidate në tavolinë dhe të diskutojmë për të ardhmen e përbashkët”, deklaroi ai.

Rama shmangu komentet mbi vendimmarrjen e brendshme të Irlandës, duke theksuar se Shqipëria nuk ka rol në përcaktimin e zgjedhjeve të qytetarëve të vendeve të tjera.

Deklaratat u bënë më 12 nëntor 2026, gjatë pjesëmarrjes së kryeministrit shqiptar në takimin e Komunitetit Politik Europian në Dublin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu