
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin janë takuar këtë të mërkurë në Shenzhen të Kinës, ku kanë shtrënguar duart në prani të presidentit kinez Xi Jinping. Takimi është zhvilluar përpara darkës zyrtare të mirëseardhjes në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), një ditë përpara bisedimeve historike mes tre liderëve.
Pamjet e publikuara nga agjencia Reuters dhe të transmetuara nga BBC tregojnë momentin kur Putin i afrohet Trumpit dhe Xi Jinping, të cilët ndodheshin së bashku në tapetin e kuq.
Presidenti amerikan dhe ai rus përshëndeten ngrohtësisht, shtrëngojnë duart dhe shkëmbejnë gjeste miqësore, ndërsa lideri kinez qëndron pranë tyre.
Ky është takimi i parë mes Trumpit dhe Putinit që prej samitit ruso-amerikan të zhvilluar në Alaskë, në gusht të vitit 2025.
Sipas BBC-së, pamjet janë publikuar fillimisht në Telegram nga ekipi i gazetarëve që shoqëron Kremlinin.
Takimi i shkurtër mes dy presidentëve vjen përpara bisedimeve trepalëshe të planifikuara për të enjten, më 19 nëntor, të cilat do të shënojnë herën e parë që liderët e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës zhvillojnë një takim të përbashkët të këtij formati.
Presidenti Trump mbërriti më herët gjatë ditës në Shenzhen, ku u prit personalisht në aeroport nga Xi Jinping. Dy liderët u përqafuan në një ceremoni të organizuar me tapet të kuq, roje nderi dhe nderime ushtarake.
BBC e cilëson pritjen një gjest diplomatik të menduar me kujdes, duke theksuar se Xi rrallëherë i pret personalisht liderët e huaj në aeroport.
Nga ana tjetër, Putin kishte mbërritur disa orë përpara presidentit amerikan dhe kishte zhvilluar bisedime me homologun kinez.
Gjatë takimit, Xi vlerësoi marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës, duke i përshkruar ato si të qëndrueshme dhe të afta t’u rezistojnë krizave ndërkombëtare.
Vëmendja tashmë është përqendruar te takimi i së enjtes, ku pritet të diskutohen disa nga çështjet më të rëndësishme të politikës botërore.
Në tryezë pritet të jenë kontrolli i armëve bërthamore, lufta në Ukrainë, konflikti me Iranin, marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, si edhe konkurrenca teknologjike për inteligjencën artificiale dhe prodhimin e çipave të avancuar.
Trump ka shprehur interes për një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve bërthamore, ku, përveç Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të përfshihet edhe Kina.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë kërkuar të ulen pritshmëritë për rezultate të menjëhershme, duke e konsideruar takimin si një hap fillestar drejt një dialogu më të gjerë mes tre fuqive.
Sipas raportimeve, bisedimet trepalëshe mund të zhvillohen në kompleksin Kylin Villa në Shenzhen, një ambient i përdorur më parë për pritjen e delegacioneve të nivelit të lartë.
Takimi mes Trumpit, Putinit dhe Xi Jinping zhvillohet në një moment tensionesh të mëdha ndërkombëtare, ndërsa marrëdhëniet mes tri fuqive ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë globale, tregtinë dhe ekuilibrat gjeopolitikë.
Shtrëngimi i duarve mes presidentit amerikan dhe atij rus, në prani të liderit kinez, është momenti i parë publik i afrimit diplomatik përpara negociatave të së enjtes, rezultatet e të cilave mbeten ende të pasigurta.






