
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka përcjellë një mesazh kundër përplasjeve të brendshme në parti këtë javë, duke rikujtuar se konfliktet mes drejtuesve socialistë në fillim të viteve 2000 i kushtuan PS-së humbjen e pushtetit në vitin 2005.
Deklaratat e bëra mbrëmjen e 17 nëntorit, në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, marrin një tjetër rëndësi në kontekstin e zhvillimeve të fundit brenda mazhorancës dhe raportimeve ende të pakonfirmuara se kryeministri Edi Rama mund të mbledhë strukturat socialiste të Tiranës këtë të shtunë, më 21 nëntor.
Klosi iu rikthye periudhës së përplasjeve mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës, kur debatet në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues u shndërruan në konflikte publike që përfshinë gjithë Partinë Socialiste.
“Unë kam qenë në atë KPD, kam qenë aty në atë sallë si pak të tjerë sot në parti. Realisht, nga ai moment Partia Socialiste, derisa humbi pushtetin në 2005, nuk gjeti më qetësi”, deklaroi ai.
Sipas Klosit, socialistët e asaj kohe, të bindur se Sali Berisha nuk përbënte më një kërcënim serioz politik pas vitit 1997, u përqendruan te lufta mes tyre, duke lënë në plan të dytë problemet e qytetarëve.
“Çarja ishte aq e thellë, nga mbajtja e opinionit publik me historitë e PS-së. Atëherë kishim edhe ndjesinë se Sali Berisha ishte i mbaruar pas 1997-s dhe ne e meritonim pushtetin. U morëm të gjithë me njëri-tjetrin”, kujtoi ai.
Por pjesa më domethënëse e mesazhit të Klosit ishte krahasimi me të tashmen. Ai hodhi poshtë mundësinë që mungesa e një opozite të fortë ta shtyjë PS-në drejt përplasjeve të brendshme.
“Thoni ju, meqë nuk ka opozitë, do të merreni me njëri-tjetrin. Jo, ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër. Kemi zgjedhur që debatin ta bëjmë për qytetarët dhe të mos i mbushim qytetarët me debatet mbi veten tonë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm socialist.
I pyetur nëse PS i dëgjon realisht qytetarët, Klosi këmbënguli: “Qytetarët i dëgjojmë çdo ditë, çdo ditë”.
Mesazhi politik që del nga këto deklarata është se drejtuesit socialistë nuk duan që debatet dhe pakënaqësitë brenda partisë të shndërrohen në një përçarje të ngjashme me atë që i parapriu humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005.
Deklaratat vijnë pas zhvillimeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku ndryshimet në strukturat drejtuese dhe raportet mes figurave të rëndësishme socialiste kanë nxitur diskutime për ekuilibrat e brendshëm të partisë.






