Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar pas raportimeve për raste të malaries në Shqipëri, duke sqaruar se sëmundja nuk përhapet në mënyrë endemike në vendin tonë dhe se të gjitha rastet e evidentuara gjatë pesë viteve të fundit janë importuar nga jashtë.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP-së, nga viti 2022 deri në vitin 2026 janë regjistruar gjithsej 12 raste me malarie në Shqipëri. Të gjithë pacientët rezultojnë të jenë infektuar gjatë qëndrimit në vende ku kjo sëmundje është e pranishme.

Instituti thekson se gjatë kësaj periudhe nuk është identifikuar asnjë rast i transmetimit autokton, pra asnjë infektim i ndodhur brenda territorit shqiptar.

Reagimi vjen pas raportimeve për një pacient të diagnostikuar me malarie dhe të trajtuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

ISHP bën të ditur se pacienti ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse.

Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ai ka dalë nga spitali dhe aktualisht ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik po kryejnë verifikime në terren për të vlerësuar situatën epidemiologjike.

Në këtë proces janë përfshirë ekspertë të epidemiologjisë, entomologjisë dhe shëndetit në punë, të cilët po analizojnë kushtet dhe faktorët që mund të lidhen me praninë e sëmundjes.

Malaria është një sëmundje infektive që shkaktohet nga parazitë të gjinisë Plasmodium dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave femra të infektuara të gjinisë Anopheles. Ajo nuk përhapet përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve.

Shqipëria ka qenë historikisht një vend ku malaria ishte e përhapur, veçanërisht në zonat kënetore, por sëmundja u eliminua si infeksion me transmetim vendas gjatë shekullit të kaluar.

Instituti i Shëndetit Publik nënvizon se rastet e raportuara aktualisht nuk tregojnë rikthim të transmetimit të malaries në Shqipëri.

“Nuk ka evidencë të transmetimit të malaries brenda vendit”, thekson ISHP, duke garantuar se situata po monitorohet vazhdimisht përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore.

Autoritetet shëndetësore vijojnë të ndjekin çdo rast të dyshuar, me qëllim diagnostikimin dhe trajtimin në kohë, si edhe parandalimin e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu