
Deri në orën 20:00 të 17 gushtit, në Shqipëri janë regjistruar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 129 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata vijon të kërkojë angazhim të madh në malin e Dajtit, Gurë-Lurë, Qafë Helmës, Bruç të Matit, Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës.
Në Dajt, operacioni mbështetet nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Priska është nën kontroll dhe monitorim, ndërsa zjarri në Vakumone është izoluar.
Në Gurë-Lurë janë angazhuar 180 forca bashkiake, 15 efektivë policie, 30 efektivë të FA-së dhe dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë penguar përhapjen e flakëve drejt banesave.
Në Qafë Helmës, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës, por mbetet aktiv drejt Selishtës. Në Bruç të Matit operacioni vijon në terren të vështirë, i mbështetur edhe nga një helikopter.
Forcat vijojnë punën edhe në Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës, ndërsa vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive.






