
Protesta kundër qeverisë në Tiranë ka hyrë në ditën e 27-të radhazi, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar një protestë kombëtare për ditën e nesërme.
Gjatë tubimit të kësaj mbrëmjeje, aktivisti Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës në kryeqytet.
“Nesër do të jetë protesta kombëtare. Ftojmë çdo shqiptar të jetë nesër këtu”, deklaroi ai para protestuesve.
Në fjalën e tij, Kola akuzoi qeverinë për zaptimin e hapësirave publike dhe bëri thirrje që qytetarët të kundërshtojnë këto veprime. Ai përdori gjithashtu një gjuhë të ashpër politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se “nuk ka ilaç që e shëron”.
Aktivisti tha se protesta ka goditur, sipas tij, “makinerinë e propagandës” së qeverisë dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut, të ndërhyjnë ndaj shkeljeve që ai pretendon se janë kryer.
Kola deklaroi gjithashtu se protesta do të vijojë të jetë paqësore, ndërsa u shpreh se nesër në Tiranë pritet të mbërrijnë pesë eurodeputetë për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Organizatorët kanë njoftuar se protesta kombëtare do të zhvillohet në Tiranë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje mbi masat e sigurisë për tubimin.






