
Protesta kundër qeverisë ka vijuar për të 123-ën ditë pranë Kryeministrisë në Tiranë pikërisht në kohën kur presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen zhvillonte takimin me kryeministrin Edi Rama.
Prania e zyrtares së lartë europiane u shfrytëzua nga protestuesit për t’i drejtuar asaj mesazhe përmes pankartave.
“Shqipëria e do Europën, Ursula, lëre Europën të dëgjojë edhe Shqipërinë që proteston!” shkruhej në një prej tyre.
Në pankarta të tjera protestuesit kishin vendosur mesazhet “123, e vërteta s’ka nevojë për skenar” dhe “123, e vërteta nuk mund të redaktohet”.
Gjatë protestës pati edhe tensione mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë. Protestuesit tentuan të afroheshin për t’i përcjellë mesazhet e tyre presidentes së Komisionit Europian ndërsa policia kishte vendosur kordonin e sigurisë pranë Kryeministrisë.
Mes protestuesve ishte edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj e cila mbante një poster me flamurin e Bashkimit Europian ku yjet ishin zëvendësuar me fotografi të zyrtarëve të dënuar ose të marrë të pandehur për korrupsion.
Vatnikaj deklaroi se synimi i protestës ishte që mesazhi i tyre të arrinte te von der Leyen. Ajo akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama duke pretenduar se integrimi europian nuk mund të realizohet në kushtet aktuale.
Vizita e von der Leyen në Tiranë lidhet me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Presidentja e Komisionit Europian zhvilloi takim dhe konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama.






