Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në Theth të Shkodrës. Përroi i fshatit ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të mëdha, ndërsa rruga që lidh Thethin me Ndërlysajn është bllokuar nga rënia e inerteve.

Situata është rënduar gjatë së premtes, 13 nëntor, kur uji ka vërshuar me forcë, duke përmbytur disa bahçe dhe toka bujqësore të banorëve.

Qarkullimi në aksin Theth–Ndërlysaj është ndërprerë për shkak të materialeve të grumbulluara në rrugë, ndërsa prurjet e mëdha të ujit kanë krijuar kushte të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.

Reagon kryebashkiaku Benet Beci

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar se strukturat bashkiake janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën në Njësinë Administrative Shalë.

“Shërbimet e Bashkisë Shkodër janë në gatishmëri dhe po ndjekin nga afër situatën në Theth, në Njësinë Administrative Shalë. Reshjet e dendura të sotme kanë shtuar prurjet e përroit të fshatit. Për momentin, nuk ka rrezik për banesat. Aksi Theth–Ndërlysaj mbetet i bllokuar nga rënia e inerteve. Po marrim masat për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit”, deklaroi Beci.

Ndërhyrje për hapjen e rrugës

Shërbimet përgjegjëse po punojnë për largimin e inerteve dhe rivendosjen e qarkullimit në aksin e bllokuar.

Megjithëse uji ka depërtuar në disa prona të banorëve, autoritetet lokale bëjnë të ditur se aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Situata vijon të monitorohet, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të rikthehet plotësisht qarkullimi në rrugën Theth–Ndërlysaj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu