Qeveria ka publikuar të tjera detaje për projektin turistik të Sazanit, duke sqaruar disa prej pikave më të debatueshme të investimit të lidhur me kompaninë pas së cilës qëndron Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Marrëveshja përfundimtare mes shtetit dhe investitorit nuk është finalizuar ende.

Sipas informacionit të publikuar në platformën “Pasqyra e Flamingos”, kostot e infrastrukturës së nevojshme në ishull do të përballohen nga subjekti zhvillues. Këtu përfshihen energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, si dhe grumbullimi e trajtimi i ujërave të ndotura.

Shteti shqiptar, ndërkohë, parashikohet të jetë pjesë e investimit si aksioner dhe jo vetëm si pronar i pronës shtetërore. Megjithatë, përqindja e pjesëmarrjes së shtetit, të drejtat në vendimmarrje, ndarja e dividendëve dhe detyrimet konkrete të palëve mbeten ende objekt negociatash.

Një tjetër pikë e debatueshme është sipërfaqja që do të zhvillohet. Sipas të dhënave të bëra publike, gjurma e kompleksit turistik, strukturave të shërbimit dhe njësive rezidenciale parashikohet në rreth 45 hektarë, nga 562 hektarë që ka në total ishulli.

Qeveria këmbëngul se Sazani nuk do të kthehet në një “ishull privat” dhe se qytetarët e turistët do të vazhdojnë të kenë akses. Kufizimet e mundshme, sipas shpjegimit zyrtar, mund të lidhen vetëm me sigurinë, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë dhe funksionimin e strukturave përkatëse.

Por një nga çështjet kryesore mbetet ende e hapur: a do të shiten vila apo rezidenca private në Sazan?

Sipas qeverisë, në këtë fazë nuk ka një vendim përfundimtar. Masterplani paraprak përfshin struktura hotelerie dhe njësi rezidenciale, por modeli i pronësisë, përdorimit dhe financimit të tyre vazhdon të negociohet. Edhe në rast se lejohet shitja apo dhënia në përdorim e njësive të caktuara, qeveria thotë se kjo nuk do të nënkuptojë shitjen e ishullit dhe se vendimmarrja nuk do t’i takojë vetëm investitorit.

Një tjetër kusht i përcaktuar si i panegociueshëm është që prona e shtetit shqiptar në Sazan të mos mund të vendoset si kolateral.

Projekti gjithsesi nuk ka marrë ende formën përfundimtare. Mbetet për t’u përfunduar edhe Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis, i cili do të shqyrtojë efektet mbi habitatet, ujërat, tokën, klimën, peizazhin dhe komunitetin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu