
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas burimeve pranë Partisë Demokratike, të cituara fillimisht nga Top Channel, Berisha është njoftuar për marrjen e vizës, ndërsa gjatë paradites së të martës pritet të tërheqë pasaportën pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Vizita e kreut të PD-së në SHBA pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Sipas informacioneve të publikuara, pjesë e delegacionit do të jenë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët demokratë Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.
Berisha kishte deklaruar vetëm pak orë më herët se dokumentet e tij ndodheshin ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk ishte njoftuar për tërheqjen e pasaportës.
I pyetur për axhendën e mundshme në SHBA dhe nëse kishte parashikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, kreu i PD-së deklaroi se deri në atë moment nuk kishte planifikuar takime të tilla.
Sipas Berishës, destinacioni i vizitës është Teksasi, ku synon të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Vizita në Shtetet e Bashkuara merr një rëndësi të veçantë politike për Berishën, pas historisë së marrëdhënieve të tij me autoritetet amerikane.






