
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i “Guna Tactical”, investimi i ri në industrinë shqiptare të mbrojtjes, ku synohet punësimi i më shumë se 1 mijë personave.
“Guna Tactical” është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët mes kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC, ndërsa aktiviteti i saj do të përqendrohet te projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve taktikë.
Sipas Ramës, puna për funksionalizimin e plotë të kantierit po vijon pa ndërprerje.
“Vijon pa ndërprerje puna për funksionalizimin e plotë të kantierit të ‘Guna Tactical’ — një investim me rëndësi në industrinë shqiptare të mbrojtjes, i cili do të punësojë mbi 1,000 persona duke gjeneruar të ardhura për familjet e tyre dhe duke ndikuar në komunitet çdo ditë”, shkruan kryeministri.
Prodhimet e kompanisë do të synojnë në radhë të parë furnizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë në vend.
Por ambicia e projektit shkon përtej tregut shqiptar. Sipas kreut të qeverisë, uniformat dhe pajisjet e prodhuara nga “Guna Tactical” do të orientohen edhe drejt vendeve të rajonit dhe aleatëve të NATO-s.
“Guna Tactical është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët mes kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC. Në fokus të aktivitetit është projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve, kryesisht për Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatë të NATO-s”, thekson Rama.
Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është vendosur vitet e fundit mes prioriteteve të qeverisë, me synimin për të rikthyer dhe zgjeruar kapacitetet prodhuese ushtarake në Shqipëri dhe për ta përfshirë vendin në zinxhirët e furnizimit të partnerëve ndërkombëtarë.






