Kosova humbi në minutat e fundit mundësinë për një fitore me peshë në Ligën e Kombeve. “Dardanët” barazuan 1-1 me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi kishin kaluar të parët në avantazh.

Goli i Kosovës erdhi në minutën e 70-të. Një aksion i nisur nga Edon Zhegrova u finalizua nga Fisnik Asllani, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi stadiumin në Prishtinë.

Vetëm pak minuta më vonë, Kosova pati mundësinë ideale për ta mbyllur ndeshjen. Milot Rashica iu afrua golit të dytë, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.

Rasti i humbur rezultoi vendimtar. Kur skuadra e Franco Fodës dukej pranë tri pikëve, Austria reagoi në minutën e 85-të.

Christoph Lang shënoi me kokë pas një aksioni të ardhur nga një rivënie anësore, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Barazimi lë një shije të hidhur për Kosovën, që ishte vetëm pesë minuta larg fitores dhe pati mundësinë të dyfishonte avantazhin. Austria, nga ana tjetër, largohet nga Prishtina me një pikë dhe ruan kreun e Grupit B3.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu