
Kosova e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke mposhtur 1-0 Irlandën në Prishtinë. Kapiteni Vedat Muriqi ishte vendimtar për “Dardanët”, me golin e shënuar në minutat e fundit të takimit.
Kosova e nisi ndeshjen në sulm dhe krijoi disa mundësi për të kaluar në avantazh, por mbrojtja irlandeze rezistoi gjatë pjesës së parë. Muriqi dhe Veldin Hoxha iu afruan golit, por tentativa e tyre u ndal nga kundërshtarët.
Edhe pas pushimit, “Dardanët” ruajtën ritmin dhe ushtruan presion ndaj Irlandës, ndërsa goli i shumëpritur erdhi në minutën e 83-të.
Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit dhe topit të kthyer në zonë, Muriqi reagoi me kokë duke e dërguar në rrjetë për rezultatin 1-0.
Kosova pati mundësi edhe për golin e dytë. Krasniqi dhe Mërgim Vojvoda provuan të mposhtnin portierin kundërshtar, por ky i fundit ndërhyri duke mbajtur rezultatin të pandryshuar.
Me fitoren 1-0 ndaj Irlandës, Kosova merr tri pikët e para dhe e nis me sukses aventurën e saj në Ligën e Kombeve.






