Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ka mohuar akuzat ndaj saj gjatë seancës me dyer të mbyllura, ndërsa ka kërkuar që telefoni i sekuestruar t’i nënshtrohet ekspertimit nga agjenci partnere jashtë Shqipërisë.

Detajet u bënë publike në “Top Story” nga gazetarja Anila Hoxha, e cila tha se seanca zgjati rreth një orë e 30 minuta dhe se informacionet mbi atë që ka ndodhur brenda saj mbeten të kufizuara për shkak të sekretit hetimor.

Sipas Hoxhës, Hyseni ka kundërshtuar dyshimet e ngritura ndaj saj dhe ka pretenduar se gjatë kohës që drejtonte SHISH-in nuk ka nxjerrë asnjë dokument të klasifikuar.

“Hyseni ka hedhur poshtë akuzat, ka kërkuar ekspertim të telefonit, që nuk duhet të kryhet në Shqipëri, por nga agjencitë partnere”, tha Hoxha.

Telefoni i ish-drejtoreshës së SHISH është sekuestruar në kuadër të hetimit. Gazetarja theksoi se SPAK disponon laboratorin e vet për kryerjen e ekspertimeve, ndërsa nuk bëhet e ditur arsyeja konkrete përse Hyseni ka kërkuar që ekzaminimi të realizohet jashtë vendit.

Në seancë janë paraqitur edhe dy të dyshuarit e tjerë. Embro Sulejmani, sipas raportimit, ka deklaruar se e njihte Ergys Agasin si person nga Durrësi dhe se e kishte ndihmuar duke i dërguar ushqim, ndërsa ka pyetur se çfarë krimi kishte kryer.

Ndërkohë, drejtuesi i Policisë Shkencore, Fation Kalloshi, sipas Hoxhës, ka deklaruar se nuk kujton t’i ketë dërguar informacione në telefon Ergys Agasit.

Pas përfundimit të seancës, Hyseni u largua pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet ndaj saj vijojnë dhe akuzat mbeten për t’u provuar në procesin gjyqësor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu