
Balliu deklaroi se ngjarja kishte ndodhur pas denoncimit që ai bëri rreth orës 17:00 nga selia e Partisë Demokratike, lidhur me ndërhyrjet e policisë ndaj studentëve protestues.
Deputeti demokrat kritikoi drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, duke e akuzuar se përmes deklaratave publike po përpiqej të mbulonte, sipas tij, dhunën e ushtruar ndaj të rinjve.
Duke iu referuar incidentit të mbrëmjes, Balliu pretendoi se pas tij qëndronin struktura të policisë dhe persona të lidhur me pushtetin.
Ai përmendi me emër Dhimitraq Ziut, Skënder Hitajn, Ilir Prodën dhe Ergys Agasin, ndërsa akuzoi edhe grupime politike që, sipas tij, paraqiten si opozitare, por veprojnë në interes të kryeministrit Edi Rama.
“Nuk është e vërtetë që më kanë goditur, është e vërtetë që kemi patur një përplasje dhe që janë sulmuar qytetarët në atë moment”, deklaroi Balliu.
Deputeti nuk dha në videomesazhin e publikuar prova që të vërtetojnë përfshirjen e personave të përmendur në organizimin e incidentit.
Pavarësisht përplasjes, Balliu deklaroi se Partia Demokratike nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj në mbështetje të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve.
“Nuk ka skemë të operacionales, skemë të Edi Ramës, skemë të qorrave që do të mund të më ndalojë mua apo Partinë Demokratike apo cilindo demokrat që të mbështesim me të gjitha fuqitë studentët”, u shpreh ai.
Në përfundim, deputeti demokrat deklaroi se opozita do të vijojë mbështetjen për të rinjtë, ndërsa parashikoi largimin e afërt të kryeministrit Rama nga pushteti.
Reagimi vjen në ditën e katërt të protestave në Tiranë, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, arrestime dhe dëmtime të pronës publike e private.






