
Në reagimin e publikuar mbrëmjen e 16 tetorit, Plasari e paraqet Klevi Metajn si simbol të një brezi që mendon ndryshe dhe që nuk pranon t’i nënshtrohet autoritetit politik.
“JU MUNDI. Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi”, shkruan akademiku.
Sipas Plasarit, forca e protestës së të riut nuk qëndron te përplasja fizike, por te e drejta për të kundërshtuar dhe për të menduar ndryshe.
“E bëri duke protestuar, duke reaguar, duke mos qenë në një mendje me ju, duke mos u pajtuar me politikën tuaj, duke e vënë në dyshim autoritetin tuaj”, shprehet ai.
Studiuesi ndalet veçanërisht te pamjet e Klevi Metajt të mbërthyer në portën metalike të Ministrisë së Arsimit gjatë ndërhyrjes së policisë, duke e krahasuar trajtimin e tij me atë të martirëve të Mesjetës.
“Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e ‘Arsimit’”, shkruan Plasari.
Ai e konsideron këtë episod një njollë që, sipas tij, do të mbetet në historinë e qeverisjes.
“Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë”, vijon reagimi.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e akademikut është fotografia e të riut duke lexuar një libër në shtratin e spitalit.
Plasari e përdor këtë pamje për të ngritur një krahasim me poetin gjerman Heinrich Heine dhe kontrollin që policët prusianë u bënin bagazheve të tij.
“Ç’rrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?!”, shkruan ai, duke sjellë ndër mend ironinë e poetit.
Në përfundim, Plasari ngre një pyetje për raportin e pushtetit me të rinjtë që kundërshtojnë politikat e tij.
“Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?”, shkruan akademiku, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Sa e kam zili!”
Reagimi i Aurel Plasarit vjen në ditën e katërt të protestave studentore, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa rasti i Klevi Metajt ka nxitur debat të gjerë publik mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit.






