Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për protestat që prej katër ditësh po zhvillohen në kryeqytet, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë ligjin dhe të protestojnë në mënyrë paqësore. Në një qëndrim të përcjellë për Report TV, përfaqësia diplomatike amerikane thekson se trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar.

“Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protestë të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Mesazhi i përfaqësisë diplomatike amerikane vjen pas katër ditësh protestash të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtime të institucioneve publike, bizneseve dhe pronës private.

Megjithatë, mbrëmja e së premtes ka shënuar edhe momente qetësie në rrugët e kryeqytetit.

Sipas Report TV, një grup protestuesish ka kërkuar paqe dhe ka shtrënguar duart me efektivët e policisë, pas tensioneve të ditëve të fundit.

Disa prej tyre u kanë ofruar ujë punonjësve të rendit, ndërsa të tjerë kanë ngritur duart lart duke thirrur: “Jemi në paqe, policia është me ne”.

Një pjesë e protestuesve janë ulur në bulevard dhe kanë kënduar himnin kombëtar, duke përcjellë një mesazh paqësor.

Më pas, protestuesit janë rikthyer përpara Kryeministrisë, ku kanë qëndruar për rreth gjysmë ore, përpara se të nisnin shpërndarjen.

Reagimi i Ambasadës Amerikane i shtohet thirrjeve për shmangien e dhunës dhe respektimin e së drejtës për tubim paqësor, në një kohë kur protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë përfshirë edhe qytete të tjera të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu