
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të largohej nga politika vetëm pasi të realizojë objektivin që e konsideron më të rëndësishmin të mandatit të tij: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një intervistë të gjatë për revistën italiane Vanity Fair, kreu i qeverisë u pyet nëse mendon dorëheqjen, në një kohë kur protestat kundër projektit turistik në Sazan dhe Zvërnec janë shndërruar në thirrje për largimin e tij nga pushteti.
“Për sa kohë që ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej vërtet në BE, takimi i parë si shtet anëtar do të ishte mundësia e përsosur për të dhënë dorëheqjen”, u shpreh Rama.
Duke komentuar protestat e javëve të fundit, kryeministri i cilësoi akuzat ndaj qeverisë si të bazuara në “gjysmë të vërteta” dhe narrativa të shtrembëruara. Sipas tij, projekti i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner nuk parashikon shitjen e Ishullit të Sazanit, por një partneritet me shtetin shqiptar, ndërsa çdo zhvillim do t’i nënshtrohet analizave mjedisore sipas standardeve europiane.
Rama tha se kundërshtimet ndaj projektit janë ushqyer edhe nga fakti që investitori është dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, duke shtuar se në protestë përzihen interesa politike, ekonomike dhe gjeopolitike.
“Ka një komponent të nxitur nga Irani, ka konkurrentë të turizmit që nuk e duan suksesin tonë, ka kundërshtarë politikë. Por ka edhe njerëz të mirë që besojnë sinqerisht se po mbrojnë mjedisin. Atyre u them: prisni të shihni projektin dhe pastaj gjykoni”, deklaroi ai.
Në intervistë, Rama foli edhe për procesin e integrimit europian, marrëdhëniet me Izraelin, luftën në Ukrainë dhe jetën e tij personale, duke pranuar se presioni i drejtimit të vendit shpesh e bën të ndihet i vetmuar.
“Ka momente kur ndihem i mbytur. Ndonjëherë ndihem vetëm. Sepse, pavarësisht gjithçkaje, në fund je ti ai që merr vendimet dhe je ti ai që paguan për to”, tha kryeministri shqiptar.






