Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga tensione të forta këtë të enjte, 29 tetor. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, kanë ndezur flakadanë dhe janë përplasur me Gardën e Republikës. Në kushtet e bllokimit të punimeve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur kalimin e projektligjeve drejtpërdrejt në votim, pa diskutim. Në sallë është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Tensionet nisën që në hapjen e seancës, kur deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe goditën tavolinat me duar, duke kundërshtuar dhunën e pretenduar policore ndaj studentëve gjatë protestave të dy javëve të fundit.

Demokratët mbanin pankarta me fotografi nga protestat, ndërsa kryeparlamentari Peleshi përpiqej të vijonte me rendin e ditës.

Situata u përshkallëzua pas ndërhyrjes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili përdori një gjuhë të ashpër ndaj deputetëve socialistë.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, deklaroi Berisha.

Kryetari i Kuvendit reagoi menjëherë, duke e cilësuar deklaratën thirrje për dhunë.

“Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, iu drejtua Peleshi, duke i hequr të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të ditës.

Pas këtij vendimi, seanca u ndërpre disa herë, por tensionet vijuan edhe pas rifillimit të saj.

Flakadanë dhe përplasje me Gardën, katër deputetë përjashtohen

Deputetët e opozitës ndezën flakadanë brenda sallës plenare, ndërsa disa prej tyre tentuan t’i afroheshin vendit ku qëndronte kryetari i Kuvendit.

Punonjësit e Gardës ndërhynë për të penguar afrimin e deputetëve dhe për të kontrolluar situatën.

Pas incidenteve, katër deputetë demokratë, Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati, u përjashtuan nga seanca plenare.

Pavarësisht bllokimit të foltores dhe kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca vijoi procedurën parlamentare, ndërsa Peleshi vendosi kalimin e projektligjeve në votim pa zhvilluar diskutimet e parashikuara.

Në këtë fazë të seancës, i pranishëm në sallë është edhe kryeministri Edi Rama.

Berisha paralajmëron socialistët: Do të shkoni pas Ballukut në burg

Pas ndërprerjes së fjalës në Kuvend, Berisha vijoi deklaratat përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale.

Ai paralajmëroi deputetët dhe ministrat socialistë se, sipas tij, do të përballen me drejtësinë, duke iu referuar ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Ju do shndërroheni në të burgosur”, deklaroi Berisha, ndërsa lëshoi akuza të tjera ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Deklaratat përbëjnë akuza politike të kreut të opozitës dhe jo konstatime të institucioneve të drejtësisë.

Në rendin e ditës 12 projektligje

Seanca e sotme parashikon shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, si dhe një interpelancë me ministrin Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Mes nismave të rëndësishme janë projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, krijimi i Këshillit Fiskal dhe ndryshimet në legjislacionin për akcizat.

Tensionet në Kuvend zhvillohen në një klimë të rënduar politike, pas protestave të nisura më 13 tetor dhe përplasjeve të vazhdueshme mes opozitës dhe mazhorancës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu