Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një letër të shkruar me dorë nga burgu i Fierit, vetëm disa orë pas transferimit nga paraburgimi i Durrësit. Në të, ai ngre akuza të rënda për kushtet e qëndrimit, mungesën e kujdesit mjekësor dhe kufizimin e komunikimit me familjen dhe avokatin.

Letra është publikuar në rrjetet sociale dhe është bërë e njohur edhe nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

“Futja në izolim për 10 ditë, pa ujë e dritare, pa kujdes mjekësor, refuzim i ushqimit, asnjë arsye për transferimin/izolimin, asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin, në të njëjtin korridor me 3 vrasës serialë me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku pretendon se është vendosur në një ambient izolimi, në të njëjtin korridor me tre persona të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, çka, sipas tij, ngre shqetësime për sigurinë personale.

Ai ankohet gjithashtu për mungesën e ujit dhe të dritares, si dhe për mosmarrjen e kujdesit të nevojshëm shëndetësor.

Sipas avokatit Ndreca, Veliaj ka prej më shumë se tri javësh probleme me këmbën dhe ka kërkuar ekzaminim mjekësor. Avokati ka deklaruar gjithashtu se kryebashkiaku nuk është ushqyer për shkak të shqetësimeve që ka lidhur me transferimin.

Më herët gjatë ditës, Veliaj e cilësoi zhvendosjen nga Durrësi në Fier si një “rrëmbim policor”, duke pretenduar se atij dhe mbrojtjes ligjore nuk u ishte vënë në dispozicion akti që urdhëronte transferimin dhe arsyet përkatëse.

Avokati i Popullit shkon në burgun e Fierit

Pas ankesave të kryebashkiakut dhe përfaqësuesve të tij ligjorë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, shkoi mbrëmjen e 28 tetorit në burgun e Fierit për të verifikuar ligjshmërinë e transferimit dhe kushtet e qëndrimit.

Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha raportoi se Veliaj pritet të qëndrojë për 10 ditë në sektorin e observimit të institucionit, ku vlerësohen kushtet e sigurisë dhe konfliktet e mundshme me persona të tjerë të burgosur.

Megjithatë, nuk është sqaruar zyrtarisht nëse kushtet e përshkruara nga kryebashkiaku lidhen me këtë procedurë apo me një masë tjetër kufizuese.

Deri në publikimin e këtyre raportimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk kishte dhënë një shpjegim publik për arsyet e transferimit.

**Pretendimet e Veliajt për mungesën e ujit, kushtet e izolimit dhe rrezikun për sigurinë personale nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.**

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025, në kuadër të procedimit penal të SPAK. Ai i ka kundërshtuar akuzat ndaj tij.

Raportimet për letrën, vizitën e Avokatit të Popullit dhe qëndrimin e pritshëm 10-ditor në observim janë publikuar mbrëmjen e 28 tetorit. Kronika +2

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu