Pas shtatë orësh mbledhjeje me dyer të mbyllura në Pogradec, Edi Rama ka zbuluar formulën e re me të cilën qeveria synon të komunikojë me qytetarët: “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyra Unike”.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, kryeministri bëri të ditur se takimi me të deleguarit politikë, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare dhe deputetët e PS-së u përqendrua te përgatitjet për sezonin e ri politik.

“Diskutuam për Besën, për Praninë Besnike, ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë me qytetarin dhe për Pasqyrën Unike, ‘Pasqyra Albania’, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet”, deklaroi Rama.

Kryeministri e krahasoi sistemin e ri të trajtimit të ankesave me gjurmimin e një pakoje postare. Sipas tij, çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve do të mund të ndiqet në kohë reale nga momenti i paraqitjes deri te përgjigjja e institucionit.

“Ambicia është që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të jetë një pako postale që ndiqet në kohë reale nga dërguesi. Shteti, qeveria dhe institucionet do të ndjekin përgjegjësitë, ndërsa çdo shkelje afati do të shihet me lupë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, synimi është krijimi i një komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe transparent mes qytetarëve dhe administratës, duke i detyruar institucionet të ndjekin dhe të zgjidhin kërkesat brenda afateve.

Rama e nisi mesazhin duke iu referuar edhe Lasgush Poradecit, i cili gjente frymëzim pranë liqenit. Ndërsa poeti gjente vargjet, socialistët kaluan shtatë orë duke kërkuar modelin e ri të komunikimit me qytetarët.

Tani mbetet prova më e rëndësishme: nëse “pakoja” me hallet e qytetarëve do të mbërrijë vërtet në destinacion apo do të humbasë sërish në korridoret e administratës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu