
Një ngjarje e rëndë familjare ka ndodhur në fshatin Rrushkull të Manzës, në Durrës, ku një 37-vjeçar ka goditur me sende të forta të dy prindërit e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda babait.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, autori i dyshuar është shtetasi E. K., 37 vjeç, i cili, sipas autoriteteve, ka probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja ka ndodhur përballë banesës së familjes, ku 37-vjeçari ka sulmuar babanë e tij, S. K., 72 vjeç, dhe nënën, F. K., 69 vjeçe.
Babai me dëmtime në kokë, dërgohet me urgjencë në Tiranë
Si pasojë e goditjeve, 72-vjeçari ka pësuar dëmtime në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Ndërkohë, nëna 69-vjeçare është transportuar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Shoqërohet në polici 37-vjeçari
Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar shtetasin E. K. në ambientet e saj për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
Ende nuk dihet çfarë e ka shkaktuar konfliktin që përfundoi me plagosjen e dy prindërve.






