
Tetë vatra zjarri mbeten aktive në pesë qarqe të vendit, ndërsa qindra forca dhe mjete ajrore po luftojnë me flakët. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se situata vijon të jetë problematike në Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër.
Në operacione janë angazhuar 165 forca operacionale dhe 85 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa janë kryer 7 misione me helikopterë dhe 2 me avionë Air Tractor.
Në Dajt është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha mbi tunelet e Qafë Mollës, ndërsa puna vazhdon edhe në Priskë të Madhe. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk rrezikohen banesat.
Në Drenie të Patosit është riaktivizuar zjarri në thellësi të pyllit. Dy avionë Air Tractor janë angazhuar në operacion dhe situata ka shënuar përmirësim.
Dy vatra mbeten aktive edhe në Krujë. Në Krastë–Halil flakët rrezikuan banesat gjatë mëngjesit, por ndërhyrja e dy helikopterëve normalizoi situatën.
Zjarret vijojnë edhe në malin e Nëmerçkës dhe në Dhëmbel, në Përmet, ndërsa një tjetër vatër është evidentuar në Gurë-Lurë të Dibrës, në një sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë.
AKMC njofton se strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë.






