
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka i është përgjigjur ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Starović, pas debatit të nisur nga deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër.
Dhuka kundërshton interpretimin e Beogradit për Rezolutën 1244, duke theksuar se ajo “nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën”, por vendosi administrimin ndërkombëtar dhe një proces politik për statusin e saj.
Ajo sjell në vëmendje edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë”, shkruan Dhuka.
Kryenegociatorja thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe hedh poshtë retorikën për një “Shqipëri të Madhe” apo “Serbi të Madhe”, duke thënë se synimi duhet të jetë integrimi i Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë në BE.
Dhuka mbështet gjithashtu trajtimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por kërkon që edhe Serbia të përmbushë detyrimet e saj në dialog.
Në fund ajo rikthen debatin te çështja që e nisi përplasjen: lumi Ibër.
“Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike”, shkruan Dhuka, duke shtuar se themeli mbi të cilin duhet ndërtuar e ardhmja evropiane është “REALITETI”.






