
Policia e Durrësit ka arrestuar pas 48 orësh drejtuesin e automjetit që dyshohet se përplasi për vdekje një biçiklist dhe u largua nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë.
Aksidenti tragjik ndodhi më 21 gusht në aksin rrugor Rrashbull–Xhafzotaj. Në rrugë u gjet pa shenja jete 41-vjeçari V. H., banues në Rrashbull.
Pas hetimeve intensive, strukturat e Qarkullimit Rrugor arritën të identifikonin automjetin dhe drejtuesin e dyshuar.
Në pranga përfundoi shtetasi R. R., 38 vjeç, banues në Sukth. Policia gjeti dhe sekuestroi gjithashtu automjetin tip “Benz A-Class”, me të cilin dyshohet se u përplas për vdekje biçiklisti.
Hetuesit po mbledhin provat për të rindërtuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat 38-vjeçari u largua nga vendngjarja.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.






