
Ndërsa Edi Rama prezantoi nga Pogradeci dokumentin e ri të quajtur “Besa”, përgjigjja nga protesta në Tiranë erdhi e prerë: “I pabesi nuk ka besë”.
Aktivisti Arben Kola deklaroi se ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar nuk do të kënaqin protestuesit, pasi kërkesa e tyre e vetme dhe e panegociueshme mbetet dorëheqja e kryeministrit.
“Për protestuesit ka vetëm një qëllim dhe një kërkesë: dorëheqje”, tha Kola, duke paralajmëruar një “vjeshtë të nxehtë” me protesta.
Sipas tij, qytetarët kanë “1001 arsye” për të dalë në shesh, ndërsa skandalet dhe denoncimet e vazhdueshme e kanë rritur pakënaqësinë ndaj qeverisë.
“Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Nuk e durojnë më këtë vjedhje”, deklaroi aktivisti.
Kola theksoi se as ndryshimi i ministrave dhe as riformatimi i plotë i qeverisë nuk do ta ndryshonin qëndrimin e protestuesve.
“Nuk duam asnjë ministri dhe asnjë ndryshim kabineti. Fasadat me ndryshim kabineti nuk pinë më ujë për popullin shqiptar. Rama po të dojë le ta ndryshojë të gjithë kabinetin, për ne nuk përbën aspak lajm”, u shpreh ai.
Aktivisti renditi si objektiva largimin e Ramës, rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Deklarata e tij vjen në ditën e 85-të të protestave kundër qeverisë, ndërsa në Pogradec kryeministri mblodhi drejtuesit politikë, ministrat dhe deputetët socialistë për të diskutuar sezonin e ri politik.
Rama prezantoi dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike” si pjesë të një modeli të ri komunikimi mes qeverisë dhe qytetarëve. Por nga sheshi, përgjigjja e protestuesve ishte një lojë fjalësh që godet drejtpërdrejt nismën e kryeministrit: “I pabesi nuk ka besë”.






