
Policia e Shtetit ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të përkohshme për qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë sezonit veror, me synim lehtësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore në akset me fluks të lartë turistësh.
Masat do të zbatohen nga 19 qershori deri më 15 shtator 2026 dhe prekin mjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Sipas njoftimit, kufizimet do të aplikohen:
- Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
- Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
- Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Për festat zyrtare, kufizimi nis nga ora 15:00 e ditës pararendëse dhe vijon deri në fund të ditës së festës.
Masat do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe akse që lidhin zonat bregdetare e turistike, ku gjatë verës regjistrohen flukse të larta automjetesh.
Nga kufizimet përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e Policisë së Shtetit, institucionet shtetërore dhe transporti i mallrave të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen shpejt.
Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë këto masa, për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar një sezon turistik më të sigurt.






