Studentët nuk ndalen! Për të 13-ën ditë radhazi, të rinjtë janë rikthyer në protestë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke vijuar revoltën pavarësisht përplasjeve të forta të një dite më parë me Policinë e Shtetit.

Pas protestës kombëtare të 24 tetorit, e cila u shoqërua me tensione, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe raportime për të plagosur, studentët janë mbledhur sërish këtë të diel në “Rrugën e Durrësit”.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë një prani të konsiderueshme protestuesish përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa grumbullimit po i bashkohen pjesëmarrës të tjerë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa pakënaqësitë e studentëve lidhen edhe me kushtet në universitete, koston e jetesës dhe politikat arsimore.

Vijimi i protestës përkon me prezantimin e një pakete të re ligjore nga qeveria, e cila parashikon ashpërsimin e masave ndaj personave të përfshirë në akte dhune gjatë tubimeve.

Kryeministri Rama njoftoi këtë të diel propozime për gjoba deri në 500 mijë lekë të reja, masa penale për fshehjen e identitetit në protesta të dhunshme dhe krijimin e një regjistri elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra kundër rendit dhe sigurisë publike.

Sipas qeverisë, qëllimi i paketës është mbrojtja e protestave paqësore dhe ndëshkimi i dhunës, ndërsa ndryshimet e propozuara duhet të kalojnë procedurat përkatëse ligjore përpara zbatimit.

Pavarësisht paralajmërimeve për masat e reja, studentët kanë vijuar tubimin e tyre, duke e mbajtur protestën aktive edhe pas një prej ditëve më të tensionuara në kryeqytet.

Dita e 13-të e protestës zhvillohet në një klimë të fortë përplasjesh politike dhe debati publik mbi përdorimin e forcës nga policia, të drejtën e tubimit dhe kërkesat e të rinjve për ndryshim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu