Një tërmet me magnitudë 6.3 goditi provincën veriperëndimore Qinghai në Kinë, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e të paktën katër të tjerëve.

Provinca fqinjë me Tibetin autonom shtrihet në rrafshnaltën e Tibetit.

Sipas autoriteteve kineze, lëkundja sizmike u regjistrua pasditen e së martës në prefekturën Haixi, në një thellësi prej 10 kilometrash. Menjëherë pas tërmetit, ekipet e emergjencës nisën operacionet e kërkim-shpëtimit për të verifikuar nëse kishte persona të bllokuar nën rrënoja.

Mediat shtetërore raportuan se minatorët në zonat pranë epiqendrës u evakuuan menjëherë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet materiale dhe numrin e viktimave.

Tërmeti u pasua nga më shumë se dhjetë pasgoditje, përfshirë një me magnitudë 4.9. Për banorët e zonave të prekura janë dërguar tenda, shtretër, batanije, ujë dhe ushqime.

Kontrollet paraprake tregojnë se rrjetet e transportit, energjisë elektrike, ujësjellësit dhe komunikimit në një rreze prej 50 kilometrash nga epiqendra vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Rreth 320 efektivë të emergjencave dhe shpëtimit janë angazhuar në terren për përballimin e situatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu