
Christa Pike, 50 vjeçe, është personi i parë i njohur që ka mbijetuar pas administrimit të injeksioneve vdekjeprurëse gjatë një ekzekutimi në SHBA. Ajo ishte dënuar me vdekje për vrasjen brutale të një 19-vjeçareje në vitin 1995.
Ekzekutimi i saj ishte planifikuar për 30 shtator 2026, në burgun Riverbend të shtetit Tennessee. Por ajo që duhej të ishte nata e fundit e jetës së saj përfundoi me një ngjarje të paprecedentë.
Pavarësisht administrimit të dy dozave të pentobarbitalit, substancës që përdoret për ekzekutimet, Pike mbijetoi dhe u transportua në gjendje kritike drejt spitalit.
“U zgjova vetëm në spital, e hutuar dhe me dhimbje”
Në deklaratën e saj të parë publike, të transmetuar nga BBC, 50-vjeçarja tregon se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të jetonte përtej natës së ekzekutimit.
“Hyra në dhomën e ekzekutimit e përgatitur për të vdekur. Kisha bërë paqe me veten”, rrëfen ajo.
Por disa ditë më vonë, Pike u zgjua në një shtrat spitali, pa e kuptuar se çfarë kishte ndodhur.
Ajo tregon se vazhdon të përjetojë dhimbje të forta fizike dhe psikologjike, ndërsa ende ka vështirësi në të folur.
“Nuk e di pse mbijetova atë natë. Nuk e di çfarë do të ndodhë më pas”, shprehet 50-vjeçarja.
Sipas avokatëve, ekzekutimi i dështuar i shkaktoi dëmtime serioze në krahë dhe duar. Ajo vuajti gjithashtu nga pneumonia dhe probleme me gëlltitjen, ndërsa për disa ditë qëndroi pa ndjenja dhe me ndihmën e aparaturave të frymëmarrjes.
Krimi i rëndë për të cilin u dënua me vdekje
Christa Pike ishte vetëm 18 vjeçe kur, së bashku me të dashurin e saj të atëhershëm, Tadaryl Shipp, torturuan dhe vranë 19-vjeçaren Colleen Slemmer në vitin 1995.
Të tre ishin njohur në një qendër trajnimi profesional për të rinjtë.
Pike u dënua me vdekje, ndërsa Shipp, i cili ishte i mitur në kohën e krimit, i shpëtoi dënimit kapital dhe vazhdon të qëndrojë në burg.
Nëna e viktimës, May Martinez, ishte e pranishme gjatë ekzekutimit të dështuar dhe e ka cilësuar të gjithë procesin një rrëmujë, duke kërkuar ndjesë nga autoritetet shtetërore.
A do të tentohet sërish ekzekutimi i saj?
Pas ngjarjes së paprecedentë, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, urdhëroi pezullimin e ekzekutimeve të tjera për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe nisjen e një hetimi të pavarur për të zbuluar shkaqet e dështimit.
Autoritetet penitenciare ende nuk kanë dhënë një shpjegim përfundimtar se përse injeksionet vdekjeprurëse nuk arritën të shkaktonin vdekjen e Pike.
Ekspertët po shqyrtojnë mundësinë që një problem me injektimin në venë të ketë bërë që substanca të përfundonte në indet përreth, në vend që të hynte plotësisht në qarkullimin e gjakut.
Avokatët e 50-vjeçares kanë kërkuar që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm. Megjithatë, guvernatori Lee ka lënë të kuptohet se dënimi mund të mbetet i pandryshuar, nëse gjykatat nuk vendosin ndryshe.
Pike është rikthyer në burg pas trajtimit spitalor, ndërsa mbetet e paqartë nëse dhe kur autoritetet mund të tentojnë një tjetër ekzekutim.
Rasti i saj ka rikthyer debatin në Shtetet e Bashkuara mbi dënimin kapital dhe sigurinë e metodave të përdorura për ekzekutimin e të dënuarve.






