
Institucioni financiar Kreditimi Rural i Kosovës (KRK) ka njoftuar faljen e plotë të borxhit të kredisë që ishte regjistruar në emër të viktimës, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar, ku institucioni sqaron se ka shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe ka vendosur të anulojë të gjithë detyrimin financiar.
“Institucioni ynë, Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), njofton opinionin publik se, pas shqyrtimit të rrethanave dhe vlerësimit të rastit, ka marrë vendim për faljen e plotë të borxhit të kredisë së regjistruar në emër të së ndjerës, znj. Arlinda Zekaj”, thuhet në njoftim.
KRK konfirmon se do të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe financiare për zbatimin e vendimit.
Vrasja që tronditi Kosovën
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa i dyshuar për krimin është kunati i saj, Albert Sylaj.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh publik, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet.
Rasti ka nxjerrë në pah mangësi serioze në trajtimin e denoncimeve për dhunë dhe kërcënime, duke shkaktuar protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Ndërkohë, me vendimin e fundit të KRK-së, detyrimi financiar i regjistruar në emër të Arlinda Zekajt do të falet plotësisht.






