
347 persona janë lënduar gjatë protestave të dy javëve të fundit në Tiranë, ndërsa Policia ka identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune. Shifrat u bënë publike gjatë një komunikimi për mediat të ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tyre, mes të lënduarve janë 201 punonjës policie, 107 protestues dhe rreth 39 kalimtarë. Demo tha se mes personave të dëmtuar ka edhe gazetarë, ndërsa të gjithë policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.
Ministri e cilësoi nivelin e dhunës të paprecedentë dhe pretendoi se ai dëshmon një formë organizimi kriminal të protestës. Ai theksoi se e drejta për tubime paqësore është e garantuar, ndërsa ndërhyrja policore duhet të respektojë proporcionalitetin.
Demo njoftoi se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe po hetohen për veprime që kanë tejkaluar këtë parim. Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po shqyrton dhjetëra raste, të denoncuara nga qytetarët ose të nisura prej saj, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Nga ana e tij, Hita deklaroi se analizimi i pamjeve filmike ka mundësuar identifikimin e 52 personave të dyshuar për akte dhune, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit. Materialet janë referuar në Prokurori dhe hetimet vijojnë.
“E drejta për të protestuar është e garantuar dhe duhet respektuar. Dhuna, nga ana tjetër, nuk mund të justifikohet dhe as të mbrohet në emër të kësaj të drejte”, tha Hita.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte përfshirja e të miturve. Demo raportoi se janë shoqëruar 269 persona nën moshën 18 vjeç dhe akuzoi organizatorët se i kanë vendosur në vijën e parë të dhunës. Ai kërkoi bashkëpunim mes institucioneve dhe mbështetje për familjet, duke theksuar se vetëm ndalimet policore nuk e zgjidhin fenomenin. Hita u bëri thirrje prindërve të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në situata që rrezikojnë sigurinë e tyre.
Sipas ministrit, akti normativ i miratuar nga qeveria parashikon që familjet të mbulojnë dëmet e shkaktuara nga të miturit në akte dhune apo vandalizmi. Ai përmendi gjithashtu gjoba, masa administrative dhe një regjistër kombëtar të individëve të përfshirë në manifestime të dhunshme.
Demo tha se janë referuar edhe raste kërcënimesh dhe thirrjesh publike për sulme ndaj efektivëve. Ai kërkoi dënimin e dhunës nga partitë politike dhe shoqëria, ndërsa deklaroi se qeveria mbetet e hapur për dialog.
Në komunikimin me mediat u njoftuan edhe investime në teknologji. Kamerat e trupit pritet të vihen së shpejti në funksion, fillimisht për policët në Bashkinë e Tiranës, për të dokumentuar shkeljet dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve policore. Po shqyrtohet gjithashtu pajisja me radio të reja dhe mjete digjitale për hetimet.
Hita u ndal veçanërisht te siguria e gazetarëve, duke theksuar se puna e tyre duhet të ushtrohet lirisht dhe pa pengesa. Ai kërkoi koordinim në terren dhe respektim të perimetrave të ligjshëm të sigurisë, pa cenuar të drejtën e medias për të raportuar. Çdo pretendim për pengim të gazetarëve apo sjellje të papërshtatshme nga policët, sipas tij, trajtohet në përputhje me procedurat ligjore.
Sa i përket mbështetjes financiare, Demo njoftoi se projektbuxheti 2027 parashikon rritje me 20 mijë lekë të reja për nivelin bazë të pagës dhe me 15 mijë lekë për punonjësit e tjerë të Policisë. Ai përmendi edhe uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6% dhe uljen e çmimit të naftës me 32 lekë në pompë, përmes heqjes së taksës së qarkullimit nga çmimi.






