Komisioni Europian ka reaguar për herë të parë lidhur me ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, të cilat i japin Guvernatorit Gent Sejko mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet e prokurorisë pa autorizimin e Kuvendit.

Në një përgjigje për A2 CNN, Brukseli konfirmon se është në dijeni të ndryshimeve ligjore të miratuara nga Parlamenti shqiptar dhe se ligji po vlerësohet në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vlerësimi po kryhet konkretisht në kuadër të Kapitullit 17 të negociatave, që lidhet me politikat ekonomike dhe monetare.

Por çfarë do të ndodhë me imunitetin e Guvernatorit pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Komisioni Europian sqaron se guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian gëzojnë privilegjet dhe imunitetet e përcaktuara në Protokollin nr. 7 të BE-së, për veprimet që kryejnë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare si anëtarë të një organi të Bankës Qendrore Europiane.

Sipas qëndrimit të Brukselit, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, neni 72 i ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë do të duhet të zbatohet në përputhje me privilegjet dhe imunitetet që garanton ky protokoll.

Çfarë parashikon ligji që u miratua me 84 vota?

Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 29 tetor ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë me 84 vota pro, duke vendosur një mekanizëm të posaçëm mbrojtjeje ligjore për Guvernatorin.

Sipas nenit 72, kur procedimi penal lidhet me ushtrimin e detyrës, ndaj Guvernatorit nuk mund të vendosen masa arresti apo të kryhen kontrolle personale dhe të banesës pa autorizimin paraprak të Kuvendit.

Kjo do të thotë se, në rastet e parashikuara nga dispozita, organi i akuzës duhet t’i drejtohet Parlamentit për të kërkuar autorizimin për masat përkatëse.

Megjithatë, mbrojtja e posaçme procedurale nuk nënkupton përjashtimin e Guvernatorit nga hetimi apo nga përgjegjësia penale.

Ndryshimi ligjor ka nxitur diskutime për kufijtë e imunitetit dhe marrëdhënien mes institucioneve të pavarura dhe organeve të drejtësisë.

Qëndrimi i Komisionit Europian konfirmon se dispozita është pjesë e shqyrtimit në procesin e integrimit dhe se, pas anëtarësimit, zbatimi i saj do të duhet të respektojë kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu