Përballja mes Rusisë dhe NATO-s rrezikon të shtrihet edhe në hapësirën kozmike. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, ka deklaruar se NATO do të mbrohet ndaj çdo kërcënimi në hapësirë, pas raportimeve se Moska po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me kokë bërthamore.

Sipas mediave gjermane NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, raportet e inteligjencës mbi mundësinë e lëshimit të satelitit brenda 60 ditëve të ardhshme janë shpërndarë këtë muaj mes vendeve anëtare të NATO-s.

Sateliti rus, i identifikuar me emrin “Sputnik-S”, dyshohet se mund të përdoret për të dëmtuar ose shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata që mundësojnë komunikimet dhe vëzhgimin e Tokës.

Megjithatë, informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është bërë e ditur se cili shtet ka hartuar raportet e inteligjencës.

Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Rutte deklaroi se Aleanca disponon disa mundësi kundërpërgjigjeje.

“Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në hapësirë”, u shpreh ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi raportimet, por deklaroi se ato tregojnë shkallën e përshkallëzimit që Rusia duket e gatshme të ndërmarrë.

Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, e cilësoi vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë si skenarin më të frikshëm të mundshëm.

Moska, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë pretendimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se raportimet e mbështetura në burime anonime vështirë se mund të merren seriozisht. Ambasada ruse në Berlin i cilësoi akuzat të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike.

Nuk është hera e parë që Rusia akuzohet për zhvillimin e armëve bërthamore në hapësirë. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara ngritën dyshime për një sistem rus antisatelitor të pajisur me kokë bërthamore.

Në atë kohë, presidenti Vladimir Putin i mohoi akuzat, duke deklaruar se Rusia ishte kategorikisht kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë.

Traktati i Hapësirës Kozmike i vitit 1967, ku Rusia është palë, ndalon vendosjen në orbitë të armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë.

Megjithatë, konkurrenca ushtarake në hapësirë po intensifikohet. Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjithashtu kanë zhvilluar ose planifikojnë zhvillimin e sistemeve të tjera të armatimit hapësinor.

Në shtator, sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, konfirmoi se SHBA-ja kishte vendosur në orbitë sisteme armësh për kontrollin e hapësirës, pa dhënë detaje mbi natyrën e tyre.

Shkatërrimi ose dëmtimi i satelitëve mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për komunikimet ushtarake, por edhe për navigimin, telekomunikacionin dhe infrastrukturën civile.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu