Katër persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës, janë arrestuar në Tiranë pasi janë kapur duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kanë ndaluar për kontroll një automjet të markës “Audi” pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë zbuluar një pistoletë brenda një çante të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të makinës.

Një tjetër pistoletë është gjetur gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, një punonjës 40-vjeçar i Gardës së Republikës.

Në pranga kanë përfunduar:

  • E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës;
  • I. Sh., 28 vjeç;
  • L. M., 42 vjeç, ushtarak;
  • E. S., 46 vjeç, ushtarak.

Policia ka sekuestruar pistoletën e gjetur në automjet, si dhe një fanellë të ngjashme me ato të policisë, që dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po kryen verifikime për armën e zjarrit që iu gjet punonjësit të Gardës së Republikës.

Të katër personat janë arrestuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Policia nuk ka bërë të ditur arsyen përse katër personat po qarkullonin së bashku me një automjet të blinduar dhe çfarë lidhjeje kishin me njëri-tjetrin.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore individuale të secilit prej të arrestuarve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu