Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të një incidenti gjatë stërvitjes në poligonin ushtarak në fshatin Babaj të Bokës, ku mbeti i lënduar një ushtar.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, incidenti ka ndodhur si pasojë e shpërthimit të municionit gjatë një aktiviteti stërvitor.

Drejtoria e Informimit e FSK-së njoftoi se ushtari ka pësuar lëndime të lehta dhe se menjëherë pas incidentit i është ofruar ndihma e parë mjekësore.

Ai po vazhdon trajtimin mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

Strukturat përgjegjëse të FSK-së po shqyrtojnë rrethanat e incidentit, në përputhje me procedurat institucionale.

“Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve stërvitore dhe operacionale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

FSK-ja nuk ka dhënë hollësi mbi shkaqet e incidentit apo mbi shkelje të mundshme të protokolleve të sigurisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu