
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të Rregullores dhe mosrespektim të të drejtave të opozitës, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të kërkesës së PD-së për një mocion me debat mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili do të zhvillohet më 10 dhjetor.
Bardhi deklaroi se kërkesa e opozitës ishte depozituar më 16 nëntor, ndërsa sipas nenit 98 të Rregullores, Konferenca e Kryetarëve duhej të mblidhej brenda tri ditëve.
“Praktikisht, i keni vënë kyçin Parlamentit, e trajtoni Parlamentin sikur të jetë partia juaj. Në fakt, nuk është partia juaj, por institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi”, deklaroi Bardhi.
Kreu i deputetëve demokratë akuzoi mazhorancën për dobësimin e kontrollit parlamentar, kufizimin e të drejtave të opozitës dhe emërimet e njëanshme në institucionet shtetërore.
Ai kërkoi që Kuvendi të hartojë një kalendar konkret pune për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, duke argumentuar se disa prej shqetësimeve të ngritura nga Brukseli përsëriten prej vitesh.
Bardhi u ndal veçanërisht te moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur vendimin e muajit korrik për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
“Gjykata Kushtetuese ju ka urdhëruar që në korrik, po mbaron nëntori dhe ne ende nuk kemi ekzekutuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Bardhi solli si shembull Kuvendin e Kosovës, i cili, sipas tij, organizoi një seancë të jashtëzakonshme për diskutimin e progresraportit vetëm dy ditë pas publikimit të tij.






