
Përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po zgjerohet nga fronti ushtarak te lufta ekonomike dhe sulmet kibernetike. Teherani deklaron se nuk do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa një grup hackerësh të lidhur me regjimin iranian dyshohet se nxori jashtë funksionit për katër ditë një central elektrik britanik.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se armiqtë synonin rrëzimin e Iranit, por nuk ia dolën.
“Nuk jemi Venezuela. Forca dhe uniteti i kombit iranian kanë habitur botën”, tha ai, duke e përshkruar situatën si një luftë të gjerë ekonomike, ushtarake dhe sigurie.
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të qëndrojë e bllokuar derisa Uashingtoni të ndryshojë qëndrim dhe të respektojë angazhimet e tij.
“Amerikanët duhet të ndërmarrin më parë hapa konkretë”, deklaroi Rezaei.
Mbyllja e këtij korridori strategjik vazhdon të kërcënojë tregtinë botërore të energjisë, pasi nëpër të kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit që transportohet me rrugë detare.
Teherani njoftoi njëkohësisht zbulimin e një vendburimi të madh me rreth 212 miliardë metra kub gaz në provincën Fars. Sipas autoriteteve iraniane, rezervat e zbuluara mund të kenë vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve.
Ndërkohë, lufta hibride duket se ka mbërritur edhe në Britaninë e Madhe. Sipas “The Telegraph”, hackerë të lidhur me Iranin arritën të bllokonin për katër ditë një central elektrik britanik.
Emri i impiantit nuk është publikuar për arsye sigurie. Centrali ishte relativisht i vogël dhe incidenti nuk ndikoi ndjeshëm në furnizimin kombëtar me energji, por sulmi ka ngritur alarmin për cenueshmërinë e infrastrukturës kritike britanike.
Ministria iraniane e Mbrojtjes deklaroi se vendi është përgatitur për një luftë të zgjatur dhe se prodhimi i disa armëve dhe municioneve strategjike është më shumë se trefishuar gjatë konfliktit të fundit 40-ditor.
Mes tensioneve, presidenti amerikan Donald Trump publikoi në rrjetin e tij social një imazh të Ngushticës së Hormuzit me mbishkrimin provokues “territori i ri amerikan”.
Nga mbyllja e rrugës më të rëndësishme energjetike deri te sulmet ndaj centraleve evropiane, konflikti po tregon se fronti i luftës nuk kufizohet më vetëm në Lindjen e Mesme.






