Priti pesë orë për ta përqafuar Edi Ramën, por kur më në fund e takoi, 78-vjeçari kishte edhe një kërkesë konkrete: asfaltimin e rrugës katër kilometra të fshatit të tij.

Celnik Shtupalli, nga fshati Homçan i Pogradecit, kishte dëgjuar se kryeministri ndodhej në rezidencën qeveritare dhe shkoi atje me shpresën për ta takuar.

Fillimisht, ai u tha gazetarëve se dëshironte vetëm ta falënderonte dhe ta përqafonte Ramën. Por kryeministri, pasi pa videon e tij, kërkoi që takimi të realizohej.

Takimi i shkurtër u zhvillua në Tushemisht, pas përfundimit të mbledhjes shtatëorëshe të Ramës me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste.

Gjatë bisedës, Shtupalli i kërkoi kryeministrit asfaltimin e rrugës së Homçanit, në zonën e Mokrës. Sipas tij, aksi që u shërben banorëve është rreth katër kilometra i gjatë.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli. Rama e pyeti për kërkesën e banorit, ndërsa Xhakolli premtoi se rruga do të realizohet përpara përfundimit të mandatit.

Pas takimit, 78-vjeçari u shpreh i emocionuar dhe tha se nuk e kishte besuar se kryeministri do ta kërkonte personalisht. Ai shtoi se përpjekjen e kishte bërë për fshatin dhe banorët e Homçanit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu