Ka nisur puna për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se kjo mbështetje nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por edhe detyrim ndaj historisë së vendit.

Hoxhaj mori pjesë më 28 tetor në mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në një reagim pas mbledhjes, ai deklaroi se do të angazhohet personalisht që mbështetja për ish-drejtuesit e UÇK-së të shoqërohet me hapa konkretë.

“Si përfaqësues i Grupit Parlamentar të PDK-së në këtë Grup Punues, do të angazhohem që ky detyrim të përkthehet në veprime konkrete dhe mbështetje të plotë në procesin e apelit”, shkroi Hoxhaj.

Deputeti demokrat bëri thirrje për unitet politik dhe institucional, duke theksuar se e vërteta e luftës çlirimtare dhe dinjiteti i atyre që e drejtuan atë kërkojnë një qëndrim të përbashkët.

Konjufca drejton grupin, përfshihen përfaqësues të institucioneve dhe partive

Grupi Punues drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca.

Gjatë mbledhjes së parë janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë përcaktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është miratuar plani i përgjithshëm i punës.

Edhe Konjufca ka theksuar rëndësinë e mbështetjes shtetërore për ish-krerët e UÇK-së.

“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, deklaroi ai.

Grupi u krijua me vendim të Qeverisë së Kosovës më 14 tetor dhe synon bashkërendimin e veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike në lidhje me procedurat e apelit.

Në qendër të strategjisë është procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas mandatit të përcaktuar nga qeveria, grupi duhet të përgatisë një propozim fillestar të strategjisë dhe një plan veprimi brenda 30 ditëve nga konstituimi.

Bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse duhet të zhvillohet duke respektuar pavarësinë e tyre dhe integritetin e procedurave gjyqësore.

Nisma synon të bashkojë përfaqësues të institucioneve dhe forcave politike të Kosovës rreth një qëndrimi të koordinuar shtetëror për procesin në Hagë, pavarësisht dallimeve politike mes tyre.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu