
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka refuzuar t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor në institucionin e paraburgimit në Hagë. Lajmin e ka bërë publik vajza e tij, Gresa Krasniqi, e cila shpreh shqetësim për shëndetin e të atit dhe deklaron se ai ka humbur besimin te institucionet përgjegjëse për trajtimin e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gresa Krasniqi ka treguar se babai i saj ia ka komunikuar vendimin gjatë një bisede telefonike.
Sipas saj, Jakup Krasniqi nuk dëshiron të marrë më shërbime shëndetësore nga institucionet e Hagës, për shkak të pakënaqësisë me trajtimin që pretendon se po i bëhet.
Vendimi ka shtuar shqetësimin e familjes, veçanërisht për shkak të moshës së ish-kryeparlamentarit dhe nevojës për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar Gresa Krasniqi.
Ajo shprehet se ndihet e pafuqishme përballë situatës dhe e ka të vështirë ta bindë të atin të pranojë ndihmën mjekësore.
“U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, shkruan ajo.
Në reagimin e saj, Gresa Krasniqi kundërshton edhe vendimin gjyqësor ndaj të atit.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”, përfundon ajo.
Sipas raportimit të Javanews, Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Më 16 shtator, ai dhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së morën së bashku dënime që arrijnë në 81 vite burg.
Deri tani nuk është bërë publik një reagim i institucionit të paraburgimit në Hagë lidhur me refuzimin e kontrollit mjekësor apo pretendimet e familjes Krasniqi.






