Lufta kundër piraterisë digjitale dhe mbrojtja e të drejtës së autorit ishin në fokus të mbledhjes së Komisionit Kombëtar të Integrimit, ku morën pjesë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi.

Balla deklaroi se Kuvendi po punon për një projektligj të ri për të drejtën e autorit, si edhe për përmirësimin e legjislacionit për mediat audiovizive, në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian. Sipas tij, Kuvendi ka një rol kyç në monitorimin e reformave dhe zbatimin e detyrimeve që lidhen me kapitujt e negociatave për anëtarësim.

Nga ana tjetër, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, tha se pirateria audiovizive është shndërruar në një aktivitet të organizuar që përdor serverë, platforma online, rrjete sociale dhe aplikacione IPTV për shpërndarjen e paligjshme të përmbajtjeve.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 shumica e ankesave të administruara nga AMA lidhej me shkeljen e të drejtave të transmetimit përmes piraterisë online, duke e kthyer këtë fenomen në një nga sfidat kryesore të tregut audioviziv.

Krasniqi bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë mbyllur 10 serverë që operonin në territorin shqiptar dhe shpërndanin përmbajtje të paligjshme. Gjithashtu, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, janë identifikuar dhe bllokuar edhe katër serverë të tjerë me vendndodhje në Rumani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.

Sipas AMA-s, lufta kundër piraterisë kërkon koordinim ndërkombëtar, pasi aktiviteti i paligjshëm zhvillohet përtej kufijve kombëtarë dhe dëmton industrinë audiovizive, investimet e ligjshme dhe vetë konsumatorët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu