Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për studentin Klevin Metaj, i arrestuar gjatë ditëve të para të protestave studentore në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.

Metaj, djali i gazetares së News24, Brikena Metaj, nuk do të qëndrojë më në arrest shtëpie. Apeli ka vendosur ndaj tij masën më të lehtë të sigurisë, “detyrim për t’u paraqitur”, një herë në muaj pranë organit përkatës.

Vendimi është bërë publik nga avokati Gentian Sejrani, i cili, së bashku me avokatin Taulant Asllanaj, përfaqësoi studentin në procesin gjyqësor.

Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur masën e arrestit në shtëpi, vendim që u ankimua nga mbrojtja.

Por zhvillimet në këtë çështje nuk përfundojnë me lirimin e studentit nga arresti shtëpiak.

Avokati Sejrani ka njoftuar se është regjistruar edhe një kallëzim penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, për trajtimin që pretendohet se i është bërë Klevin Metajt gjatë ndalimit.

Sipas mbrojtjes, studenti është përballur me trajtim degradues dhe çnjerëzor, pretendime që tashmë janë objekt i kallëzimit penal.

“Sot, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin, duke caktuar ndaj Klevin Metajt masën e sigurimit ‘detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës’”, njoftoi avokati Gentian Sejrani.

Ndërkohë, pritet vijimi i procedurave lidhur me kallëzimin ndaj punonjësve të policisë. Pretendimet për keqtrajtim nuk janë provuar ende nga autoritetet gjyqësore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu