Dy të rinj nga Thumana janë arrestuar në Tiranë, pasi njëri prej tyre u kap duke lëvizur me pistoletë pa leje në një taksi. Situata është tensionuar më tej në komisariat, ku të dy të arrestuarit dyshohet se kanë goditur punonjësit e policisë dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit.

Në pranga kanë përfunduar Petrit Shima, 30 vjeç, dhe Redion Hymeri, 25 vjeç, të dy banues në Thumanë.

Operacioni i koduar “Taksimetri” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, pas informacioneve të siguruara se një person po udhëtonte i armatosur nga Kruja drejt kryeqytetit.

Policia ndaloi taksinë në rrugën “Sami Frashëri”, ku gjatë kontrollit fizik të 30-vjeçarit Petrit Shima u gjet një pistoletë me municion, të cilën ai e mbante pa leje.

Në të njëjtën taksi udhëtonte edhe 25-vjeçari Redion Hymeri, i cili, sipas policisë, nuk kishte kallëzuar krimin.

Por incidenti nuk përfundoi me ndalimin e tyre. Gjatë veprimeve procedurale, dy të rinjtë dyshohet se goditën efektivët e policisë dhe më pas dëmtuan ambientet e dhomës së shoqërimit.

Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu