Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga ftesa për dialog me protestuesit. Pasi karriget e vendosura përpara Kryeministrisë u përmbysën, u dëmtuan dhe njëra prej tyre u dogj, këtë të enjte kreu i qeverisë ka zgjedhur një tjetër simbol: stola guri me mbishkrimin “Dialog”.

Në ditën e dhjetë të protestave studentore, Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqen stolat e rinj të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së tij.

“Mirëmëngjes”, shkruan kryeministri krahas pamjeve, pa shtuar komente të tjera.

Nga karriget e thyera te stolat prej guri

Për dy ditë me radhë, Rama kishte vendosur karrige përpara Kryeministrisë, duke ftuar studentët të uleshin për të diskutuar kërkesat e tyre.

Por protesta vijoi dhe ftesa u refuzua nga demonstruesit, të cilët këmbëngulin në dorëheqjen e kryeministrit.

Disa prej karrigeve u përmbysën dhe u dëmtuan, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës njëra prej tyre u dogj në mes të bulevardit.

Tashmë, karriget janë zëvendësuar me stola guri, mbi të cilët është vendosur sërish fjala “Dialog”.

Molotovë dhe tensione mbrëmjen e së mërkurës

Ndryshimi vjen pas incidenteve të një nate më parë, kur protestues të maskuar hodhën bomba molotov drejt Kryeministrisë dhe Kullave Binjake, ndërsa drejt policisë u hodhën gurë.

Pas tensioneve, demonstruesit marshuan drejt Sheshit Skënderbej, përpara se reshjet e dendura të shiut të ndikonin në shpërndarjen e tubimit.

Me vendosjen e stolave të gurit, Rama përsërit për të tretën ditë radhazi ftesën për bisedime, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje për nisjen e dialogut mes qeverisë dhe përfaqësuesve të protestuesve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu