Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga tensione të forta këtë të enjte, 29 tetor, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj deputetëve të mazhorancës, duke deklaruar se ata meritojnë gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Deklarata e Berishës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e ka cilësuar atë thirrje për dhunë dhe i ka hequr liderit demokrat të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të ditës.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, deklaroi Berisha nga foltorja.

Kreu i PD-së iu referua incidenteve gjatë protestave studentore dhe akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Shtetit.

Por deklarata e tij shkaktoi përplasje me drejtuesin e seancës.

“Zoti Berisha, ky nuk është procedurë, por është përdhunim”, iu drejtua Peleshi, duke kundërshtuar gjuhën e përdorur nga lideri demokrat.

Më pas, kryetari i Kuvendit vendosi ndërprerjen e fjalës së Berishës.

“T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, deklaroi Peleshi.

Opozita bllokon foltoren, deputetët e PD me pankarta të protestës studentore

Tensionet kishin nisur që në hapje të seancës parlamentare, rreth orës 10:00, kur deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren ndërsa Niko Peleshi po prezantonte rendin e ditës.

Ligjvënësit demokratë mbanin pankarta me fotografi nga protestat e studentëve të dy javëve të fundit, duke kundërshtuar ndërhyrjet e policisë ndaj të rinjve.

Deputetët e opozitës goditën vazhdimisht tavolinat me duar, duke krijuar zhurmë dhe duke penguar zhvillimin normal të punimeve.

Seanca u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, me dhjetëra efektivë dhe automjete policie të vendosura në perimetrin e Kuvendit.

Përplasja e sotme vjen pas incidenteve të seancës së 22 tetorit, kur opozita bllokoi punimet dhe pati konflikte mes deputetëve. Pas atyre ngjarjeve, gjashtë ligjvënës demokratë u përjashtuan për 60 ditë nga aktivitetet parlamentare.

Ndërkohë, protestat që kanë përfshirë Tiranën prej 13 tetorit vijojnë të jenë në qendër të përplasjes politike, me opozitën që akuzon qeverinë për dhunë policore dhe mazhorancën që dënon aktet e dhunshme gjatë tubimeve.

Deklaratat e Berishës në Kuvend përbëjnë përshkallëzimin më të fundit të retorikës politike, ndërsa kryeparlamentari Peleshi ka ndërhyrë për të ndaluar gjuhën që e konsideroi nxitje të dhunës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu